Skip to content

Ankesë për shkeljen e të dhënave personale në rastet e raportimit të vetëvrasjeve

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) ju njofton se ka pranuar kërkesën e Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) për t’i ofruar ndihmë juridike në fushën e të drejtës në mbrojtje të të dhënave personale. QIPS ka shprehur shqetësimin për mënyrën e raportimit nga ana e portaleve në rastet e vetëvrasjes apo tentim vetëvrasjes duke publikuar të dhëna personale në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale e po ashtu edhe në kundërshtim me Kodin e Mediave të Shkruara.

Për këtë arsye, në interes të familjeve të prekura nga raportimet e tilla, është dërguar një Ankesë për shkelje të të dhënave personale në Agjencinë për Informim dhe Privatësi duke kërkuar që të largohen nga portali lajmet e tilla që përmbajnë të dhëna personale dhe të kërkohet që të mos publikohen të dhëna të ngjashme, në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Vetëm nga qershori i vitit 2022 deri në shtator 2022, portali për të cilin QIPS ka parashtruar ankesë, ka publikuar 11 raste të vetëvrasjes duke paraqitur fotografi të personit, emrin dhe mbiemrin e personit që ka kryer vetëvrasje, vendbanimin e personit, lokacionin ku është kryer vetëvrasja, ndonjëherë edhe lidhja familjare me ndonjë fytyrë publike, si dhe pjesë nga letra e lamtumirës, mosha e personit dhe mënyra se si është kryer vetëvrasja. Publikimet e tilla, përveç se janë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, me Kodin e mediave të shkruara, gjithashtu paraqesin rrezik real që të nxisin stigmatizimin dhe përsëritjen e veprimeve vetëvrasëse. Në psikologji kjo njihet si efekti “Werther” apo “Copycat Suicide” ku persona të cilët glorifikohen apo polemizohen, nëpërmjet raportimeve të mediave shpiejnë drejt një rritjeje të dukshme të vetëvrasjeve duke përdorë mënyrat e njëjta të vdekjes. Identiteti i personit që ka kryer vetëvrasje nuk është në interes të publikut dhe publikimi i këtyre të dhënave mund të shkaktojë dëm, jo vetëm familjarëve të personit që ka kryer vetëvrasje, por edhe personave që gjejnë ngjashmëri me situatën e personit dhe kjo mund të bëjë që ai person të imitojë. Për këtë arsye, mediat duhet të kenë kujdes të shtuar në raportimin e këtyre ngjarjeve dhe të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me kodin gazetaresk.

CSL dhe QIPS kërkon që të merren masa ndaj portalit duke krijuar precedent, në mënyrë që portalet të veprojnë në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, duke mbrojtur të drejtën e privatësisë dhe të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

CSL mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së privatësisë dhe në përgjithësi të të drejtave të njeriut përmes padive strategjike dhe mjeteve tjera ligjore! CSL ka për qëllim luftimin e problemeve kolektive përmes rasteve individuale. Andaj, fton të gjithë ata që konsiderojnë se ju është shkelur ndonjë e drejtë nga institucionet publike të na kontaktojnë duke na treguar për rastin e tyre.

No comment yet, add your voice below!


Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *