Punëtoria: Efikasiteti në mbrojtjen e ambientit përmes rasteve strategjike, inspektimeve, ndjekjes penale dhe gjykimit të këtyre rasteve

Qendra për Raste Gjygësore Strategjike (CSL) organizon punëtorinë me temën: “Efikasiteti në mbrojtjen e ambientit përmes rasteve strategjike, inspektimeve, ndjekjes penale dhe giykimit të këtyre rasteve”

Kjo punëtori synon të hapë një diskutim rreth efikasitetit dhe mbrojtjes së mjedisit nga disa perspektiva dhe hallka të sistemit ekzistues. Më konkretisht do të shërbejë si forum për diskutimin e ideve, përvojave dhe rekomandimeve mbi temën nga perspektiva disa akterëve duke filluar nga Gjyqësori, Prokuroria, Institucioni i Avokatit të Popullit, Inspektorati i Mjedisit, Inspektorati i Punës dhe përfaqësuesve të Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.

Kjo ngjarje organizohet në kuadër të projektit: HumanRightivism ‘financuar nga Agjencia Suedeze për International Development (SIDA) përmes Ambasadës Suedeze në Kosovë, dhe zbatohet nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF).

Rikthehet masa pezulluese mbi punën e Hidrocentralin Brezovica – HC Brezovica në Shtërpcë

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues te mediave,

Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e Hidrocentralit në Brezovicë.

Gjykata Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentralit ishte kundër interesit publik!

Gjykata Supreme ka konstatuar se nuk mund të aprovohet si i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i gjykatës së Apelit, pasi që nuk ka arritur t’i vlerësojë dhe peshojë të gjitha rrethanat që parashihen në nenin 22 të Ligjit për Konfliktet Administrative në mënyrë kumulative, si dhe ka konstatuar se arsyetimi i aktvendimit të Gjykatës së Apelit është i mangët dhe jo bindës mbi faktet vendimtare.

Sipas Gjykatës Supreme, paditësit kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralin në Brezovicë nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Ojq ‘GAIA’ kanë dërguar padi në këtë rast përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike. Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Shtërpcës! Sepse do të thotë që me pezullimin e lejes ujore për HC Brezovica, kompania ndërtuese nuk mund të aplikojë për leje mjedisore, lëshimi i të cilës është parakusht për të operuar hidrocentrali. GLPS dhe GAIA kanë dërguar padi vetëm kundër lejes ujore për Hidrocentralin Brezovica, sepse është e vetmja që kanë pranuar deri më tani nga Ministria e Mjedisit, edhe pse që gati një vit kërkojnë lejet ujore për hidrocentralet tjera në Shtërpcë, pra hidrocentralet Sharri, Shtërpca dhe Viça.

Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta! E të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme!

Diskriminimi ndaj anëtarëve të komuniteteve në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe dinjitetin e njeriut!

REAGIM PUBLIK!

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) platformë e GLPS-së, shpreh keqardhje të thellë dhe e dënon aktin e djeshëm të diskriminimit në baza racore kundër pjesëtarëve të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian të raportuar që ka ndodhur në qytetin e Gjakovës, në një lokal të gastronomisë. Akte të tilla të shëmtuara do të duhej të dënoheshin nga të gjithë akterët e shoqërisë si dhe nga të gjitha institucionet relevante. Mosveprimi i autoritetit publik në mosndëshkimin e sjelljeve të tilla përbëjnë shkelje të së drejtës për barazi para ligjit dhe mosdiskriminim. Këto të drejta janë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, dhe me Deklaratën Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.

Nuk janë të rralla rastet e diskriminimit racor ndaj komuniteteve në fjalë në nivele të ndryshme qoftë instutcionale apo edhe jashtë tyre. Diskriminimi racor si veprim dhe si normë është kundër karakterit multietnik të Republikës së Kosovës, dhe në këtë drejtim ky karakter i funksionimit të Republikës duhet të garantohet nga institucionet e saj.

Andaj, ne si Qendër për Raste Gjyqësore Strategjike(CSL) kërkojmë reagim të menjëhershëm nga Institucioni i Avokatit të Popullit i cili ka për detyrë të mbrojë, mbikëqyrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Po ashtu, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet që patjetër të reagojnë konform kompetencave dhe misionit që ata bartin, në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten dhe të sigurojnë që të drejtat e njeritut të respektohen në plotni. Qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë institucione të cilat janë në krye të detyrës dhe të cilat mbrojnë të drejtat e tyre kur ato shkelen.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) platformë e GLPS-së, i fton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme në Kosovë që konsiderojnë që rastet në lidhje me shkeljen e të drejtave të tyre përbëjnë raste strategjike, dhe për të cilat institucionet shtetërore kanë dështuar t’i adresojnë, t’i paraqesin rastet e tyre në: APLIKO ose t’i dërgojnë rastet e tyre me email tek: [email protected]

Sinqerisht,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL)

Aktgjykimi i Gjykatës Supreme në Rastin e Hidrocentraleve në Deçan

KOMUNIKATË PËR MEDIA:

“Aktgjykimi i Gjykatës Supreme në Rastin e Hidrocentraleve në Deçan”

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues te mediave,

Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se Gjykata Supreme e Kosovës ka rikthyer masën pezulluese mbi punën e Hidrocentraleve në Deçan.

Gjykata Supreme ka prishur Aktvendimin e Gjykatës së Apelit ku thuhej pa asnjë bazë, ndër të tjera, që ndalja e punës së hidrocentraleve ishte kundër interesit publik! Gjykata Supreme ka konstatuar se paditësit, zt. Selmanaj dhe banorët tjerë të Deçanit, kanë paraqitur prova bindëse se atyre do t’u shkaktohej dëm, se shtyrja e ekzekutimit të lejeve për Hidrocentralet në Deçan nuk ishte kundër interesit publik, dhe se kompanisë ndërtuese nuk do t’i shkaktohej ndonjë humbje të madhe. Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Ojq ‘Pishtarët’ janë palë të interesuara në proces, dhe për të njëjtën çështje kanë dërguar gjithashtu padi përmes Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.

Ky Aktgjykim i Gjykatës Supreme është një fitore shumë e madhe për qytetarët e Deçanit! Sepse do të thotë që hidrocentralet në Deçan nuk do të mund të operojnë më ligjshëm derisa gjykata të nxjerr një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e lejeve.

Shkeljet ligjore në këtë rast kanë qenë të mëdha dhe të shumta! E të cilat në gusht të këtij viti janë konfirmuar edhe nga publikimi i Raportit të Grupit Punues për Hidrocentrale – i përbërë kryesisht nga zyrtarë të Ministrisë – e i cili ka dëshmuar që të gjitha lejet e lëshuara për hidrocentrale në Kosovë në dekadën e fundit janë të kundërligjshme!

Edhe sa punëtorë duhet ta humbin jetën që institucionet të këndellën?

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) platformë e GLPS-së, shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetës edhe të një punëtori të sektorit të ndërtimtarisë në ditën e sotme. Sipas raportimeve nga mediat vetëm në vitin 2020, rreth 26 punëtorë kanë humbur jetën në sektorin e ndërtimtarisë. Kurse, vdekja që u raportua sot shënon vdekjen e (6) gjashtë për këtë vit në këtë sektor, dhe mbi 80 aksidente në vendin e punës janë regjistruar po në këtë vit.

Këto shifra alarmante do të duhej që menjëherë të nxisnin reagimin e institucioneve përgjegjëse, posaçërisht Inspektoratit të Punës si institucioni i vetëm në kuadër të pushtetit ekzekutiv të Republikës së Kosovës me mandat të monitorimit të zbatimit të legjislacionit nga fusha e marrëdhënies së punës, si dhe sigurisë dhe shëndetit në punë. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim serioz institucional që do të ndikonte në përmirësimin e kushteve të punës dhe inspektimit të tyre. Ky sektor jo vetëm që është i neglizhuar, por i njëjti nuk trajtohet aspak si njëri ndër sektorët me veprimtarinë më të rrezikshme e që rezulton edhe në rrezikimin e jetëve të punëtorëve. Rasti i sotëm është dështimi i radhës i inspektimit, aktivitet ky i Inspektoratit të Punës, dhe është tregues i qartë i mosfunksionimit dhe mungesës së monitiromit të implementimit të Ligjit të Punës. Me këtë rast, i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të trajtoj si prioritet inspektimin dhe monitorimin e Ligjit të Punës, dhe e njëjta t’i marrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme që ky Ligj të implementohet në plotni, sidomos në pikat që rregullojnë sigurinë në vendin e punës. Pasojat e neglizhencës së deritanishme institucionale veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë kanë shkaktuar shumë humbje jetësh të cilat nuk arsyetohen në asnjë mënyrë.

Qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë institucione të cilat janë në krye të detyrës dhe të cilat sigurohen që mandati i tyre përmbushet plotësisht. Kosova nuk ka jetë për të humbur, dhe është i papranueshëm çdo rast i humbjes së jetës që vije si pasojë e dështimit insitucional për të ofruar siguri dhe të drejta të plota për punëtorët. Për më tepër, përgjegjësia duhet kërkuar për çdo jetë të humbur deri më tani, dhe të gjithë shkaktarët duhet vënë para drejtësisë.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) platformë e GLPS-së, i fton të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në veçanti punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë që konsiderojnë që rasti i tyre përbën rast strategjik, dhe për të cilin institucionet shtetërore kanë dështuar ta adresojnë, të paraqesin rastet e tyre në: APLIKO ose ta dërgojnë rastin e tyre me email tek: [email protected]

Sinqerisht,

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL)

Përfaqësuesit e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) takohen me Avokatin e Popullit Zt. Naim Qelaj

Përfaqësuesit e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) takohen me Avokatin e Popullit Zt. Naim Qelaj, për të diskutuar shkeljet ligjore në rastet e hidrocentraleve në Deçan dhe Shtërpcë dhe për nevojën e madhe të bashkëpunimit mes Qendrës, Shoqërisë Civile dhe Avokatit të Popullit për arritjen e qëllimit të përbashkët: mbrojtja e të drejtave themelore të qytetarëve dhe mjedisit në Kosovë.

REAGIM: Gjykata e Apelit dështon ta identifikojë dëmin që hidrocentralet e kundërligjshme i shkaktojnë Deçanit

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ju njofton se:
Gjykata e Apelit ka vendosur kundër Ambientit dhe Interesit të Qytetarëve në rastin e hidrocentraleve në Deçan
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike e konsideron skandaloze se si Gjykata e Apelit dështon ta identifikojë dëmin e qartë të pariparueshëm që hidrocentralet e kundërligjshme i shkaktojnë Deçanit, natyrës, banorëve paditës dhe të gjithë neve. Me një vendim të tillë, Gjykata e Apelit abuzon diskrecionin gjyqësor dhe mbështet kompanitë që dëmtojnë interesin publik, ato që shkatërrojnë ambientin në formë kriminale. Kështu, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar më të rëndësishëm interesin financiar të Kelkos Energy Sh.p.k. se sa interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Me largimin e masës ndaj hidrocentraleve shkatërruese të natyrës në Deçan, Gjykata e Apelit ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka formuar dyshim të bazuar në paanshmërinë dhe pavarësinë e saj. Vendime të tilla e vënë edhe më shumë në pah nevojën urgjente për një veting të gjyqtarëve në Kosovë, ata të cilët po e humbin të ardhmen e këtij vendi, duke u shëndërruar në klientë të kompanive private me qasje keqpërdoruese ndaj ligjit.

Në kolegjin e përbërë nga Gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, Delushe Halimi dhe Gani Avdiu, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën për pezullim të lejeve dhe licencave për hidrocentralet në Deçan, dhe kështu ka hequr masën e cila ua ndalonte operimin hidrocentraleve Deçani, Belaja dhe Lumbardhi II deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. Gjykata e Apelit ka vlerësuar se tre banorët paditës të Deçanit nuk kanë dëshmuar se po u shkaktohet dëm i pariparueshëm, banorë të cilët tërë jetën kanë gëzuar bukurinë e Lumbardhit dhe natyrës përreth tij përpara se ajo të shkatërrohej për interesa private. Për më tepër, Gjykata e Apelit kishte konstatuar se shtyrja e ekzekutimit të lejeve do t’i shkaktonte dëm direkt të pariparueshëm Kelkos Energy Sh.p.k. “pasi që investimi për ndërtimin e [hidrocentralit] është i madh, dhe ky dëm në mënyrë indirekte do të ndikonte te një pjesë e banorëve (qytetarëve) të Deçanit që furnizohen me energji elektrike.” Madje si përfundim, Gjykata e Apelit kishte konstatuar në vendim se shtyrja e ekzekutimit të lejeve të hidrocentraleve në Deçan “do të ishte kundër interesit publik.”
Me anë të këtij vendimi Gjykata e Apelit dëmton natyrën dhe shkel të drejtat e qytetarëve, dhe minon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Dhënia e lejeve për hidrocentrale në kundërshtim me ligjin duhet menjëherë të ndalohet dhe të ndëshkohet nga gjyqësori, sepse një praktikë e tillë e rrezikshme mund të sjell dëme në natyrë që asnjëherë nuk mund të riparohen.
Interesi publik për të mbrojtur natyrën dhe të mirat e saj duhet vënë gjithmonë përpara interesave të ngushta politike e klienteliste. Ne ua kemi me borxh gjeneratave të reja që ta ruajmë ambientin dhe të kundërshtojmë kompanitë dhe institucionet publike që për interesa private po e shkatërrojnë atë.

Me respekt,
Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike

Gjykata Themelore përsëri vendos në favor të Mjedisit dhe Qytetarëve në rastin e “Parkut të Aventurave” në Gërmi 

Vendi ku planifikohej të ndërtohej “Parku i Aventurave” është zona më e pasur dhe më e rëndësishme e biodiversitetit në peisazhin e mbrojtur Gërmia, një zonë ku gjenden edhe pyjet e ahut më të vjetra dhe më të ruajtura në rajon. Me lëshimin e lejes mjedisore, Komuna e Prishtinës kishte shmangur kërkesat ligjore dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrje për një projekt kaq të rëndësishëm për qytetarët dhe natyrën.

GLPS dhe Qytetarët Aktivë kishin dërguar padi kundër lejes komunale për Parkun e Aventurave dhe kishin kërkuar që të shtyhej ekzekutimi i kësaj leje deri sa gjykata të vendoste meritorisht për rastin.

Gjykata Themelore kishte aprovuar këtë kërkesë si të bazuar, por Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rivendosje. Edhe pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore përsëri ka aprovuar si të bazuar kërkesën e GLPS dhe Qytetarë Aktivë për shtyrjen e ekzekutimit të lejes për Parkun e Aventurave, duke konstatuar se paditëset kanë ofruar prova të besueshme të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimit do të sillte dëm vështirë të riparueshëm dhe se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik.

Konferencë mbi kërkesën e aprovuar nga GLPS dhe GAIA për shtyrjen e ekzekutimit të Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica

Më 26 shkurt 2021, organizatat paditëse GLPS dhe GAIA kanë paraqitur padi kundër Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica në Komunën e Shtërpcës, të lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit. Hidrocentrali Brezovica është një nga katër hidrocentralet (HC Shtërpca, HC Sharri dhe HC Viça) të ndërtuara nga kompania Matkos Group Sh.p.k. në Komunën e Shtërpcës. Procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për këto 4 hidrocentrale ka qenë jotransparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja. Pavarësisht kërkesave të shumta të organizatave paditëse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk u ka dërguar dokumentet e kërkuara që kanë të bëjnë me mbajtjen e debateve të publike dhe procedurave të tjera ligjore. GLPS dhe GAIA kanë potencuar me padi shkeljet si në vijim: (i) mungesa e debatit publik apo njoftimit adekuat të publikut për të, (ii) mohimi i të drejtës së banorëve të Shtërpcës për ujë të pijshëm dhe të ujitjes, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) ndërtimi i kundërligjshëm në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharr. Organizatat paditëse synojnë të anulojnë të gjitha lejet ujore/mjedisore dhe vendimet tjera të lëshuara në këtë proces si dhe të shtyjnë ekzekutimin e të gjitha këtyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e tërë procesit.

Më 25 mars 2021, organizatat paditëse kanë pranuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, me të cilin është aprovuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për hidrocentralin Brezovica, duke vlerësuar se “paditësit/propozuesit kanë ofruar argumente të besueshme, dhe atë fotot të protestave të mbajtura ndër vite të qytetarëve lidhur me mos ndërtimin e hidrocentralit, foto të dëmtimit të natyrës, raporte të organizatave të ndryshme lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat vërtetojnë faktin se ekzekutimi i vendimeve do t’i sillte dëm banorëve të pjesës në të cilën parashihet të operojnë këto Hidrocentrale, dëm ky i cili vështirë do të riparohej.”

Në konferencë për media, Alba Dushi nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike ka theksuar se sa i përket mos-informimit të qytetarëve për mbajtjen e debatit publik, është pranuar nga vetë kompania ndërtuese se asnjë qytetar i Shtërpcës nuk ka marrë pjesë në debat. Sapo kanë kuptuar që në lumin e tyre po ndërtoheshin hidrocentralet, qytetarët kanë dalur menjëherë në protesta pa u ndalur me vite të tëra, por ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh nga askush. Kjo dëshmon se qytetarët nuk janë njoftuar për debatin publik si duhet, dhe rrjedhimisht janë lënë tërësisht jashtë procesit, i cili ka qenë jotransparent që nga fillimi. E vetmja gjë që i ka ndalur protestat e qytetarëve ka qenë pandemia, se ata edhe sot do të kishin qenë duke protestuar. Një shkelje tjetër është edhe ndërtimi në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharri, një zonë në të cilën nuk mund të ndërtohet sepse dëmtohet flora, fauna e biodiversiteti. Ky aktvendim me të cilin është aprovuar kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të Lejes Ujore për Hidrocentralin Brezovica është një hap pozitiv për qytetarët e Kosovës. Natyra jonë na takon të gjithëve ta mbrojmë, dhe ne nuk duhet të lejojmë më që për interesa private të degradohet kjo natyrë. Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike është e përkushtuar që të luftojë praktikën e lëshimit të lejeve për hidrocentrale kur kriteret ligjore nuk plotësohen si dhe në fund të largojë këto hidrocentrale që po shkatërrojnë lumenjtë tanë.

Gjithashtu, Mevlude Skuroshi nga GAIA ka theksuar se jemi të vetëdijshëm që ky është një hap i vogël në një proces shumë të gjatë, megjithatë është hap i mirëpritur. I bëjmë thirrje Qeverisë së re, bashkë me Ministrinë e Mjedisit, dhe Ministrin e saj të ri, me ndërmarrë masa të menjëhershme për çështjen e hidrocentraleve, i bëjmë thirrje për me marrë përgjegjësi edhe mos me leju projekte tjera të cilat kërcënojnë zonat e mbrojtura, ujin e pijshëm dhe ujin e ujitjes. Gjithashtu i’a kujtojmë Qeverisë së re që komuniteti lokal në Shtërpcë, në Sharr, i mbështet fortë shpresat e tyre në premtimet që i keni dhënë, prandaj presim që ato premtime të përmbushen e mos të jenë të kota. Lumenjtë tonë kanë qenë viktima të një procesi që nuk është menduar mirë, por ka ende shpresë dhe ne besojmë në rivendosjen e drejtësisë për natyrën. Rrjedhat edhe lumenjtë duam ti shohim më të lirë andaj kemi me e vazhdu luftën për ta.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban trajnim me studentët

Nga Arbër Fetahu

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, me datë 14.12.2020 mbajti trajnim me studentë me temën: “E drejta në mjedis të pastër – e drejtë themelore e njeriut; politikat mjedisore në Kosovë dhe gjendja aktuale”. 

Organizuar në kuadër të: HumanRightivism, 21 studentët pjesëmarrës fituan njohuri themelore në lidhje me temat e mëposhtme:

(i) e drejta e tyre themelore për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm, 
(ii) ligji vendor dhe ndërkombëtar që rregullon mjedisin, 
(iii) një numër çështjesh shumë të rëndësishme mjedisore dhe 
(iv) punën e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike. 

Rezultati i arritur ne besojmë të jetë se studentët tani kanë fituar njohuri mbi atë se ata kanë një të drejtë themelore që, ndër të tjera, të informohen për çdo vendim të institucioneve shtetërore në lidhje me mjedisin ku jetojnë.Studentët u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur me trajnimin, madje disa u shprehën se ky trajnim i ka inspiruar për të bërë më shumë për mjedisin.