Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dorzoi padi për mosimplementim të Ligjit për Duhanin

Nga Arbër Fetahu

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dërgoi padi kundër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së Kryeministrit për shkak të mosimplementimit të Ligjit Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit i cili përcakton shprehimisht se prija e duhanit është e ndaluar në vende publike në Kosovë.

Sipas Ligjit për Kontrollin e Duhanit, vendet publike në të cilat ndalohet pirja e duhanit përfshijnë vendet e mbyllura siç janë lokalet shërbyese, të cilat kanë kulm të lëvizshëm apo jo, dhe të cilat janë të rrethuara me dy apo më shumë anë, pa marrë parasysh materialin e përdorur dhe se a është struktura e përhershme apo e përkohshme.

Pavarësisht kësaj, Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk gjen zbatim në Kosovë dhe kjo përbën një dështim të institucioneve publike që ta implementojnë atë, gjë e cila rrezikon shëndetin dhe jetën e qytetarëve dhe përbën shkelje të të drejtave të tyre themelore, sidomos të atyre qytetarëve të cilët kanë astmë apo sëmundje të tjera kronike.

Mosimplementimi i ligjeve në Kosovë siç është Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk krijon respekt për institucionet publike, përkundrazi krijon mosbesim të thellë dhe mospërfillje ndaj tyre, si dhe dëmton sigurinë juridike në Kosovë.

Prandaj, me këtë padi synohet që të bëhet implementimi i plotë i Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe që të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike mban trajnim me studentët

Nga Arbër Fetahu

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, me datë 14.12.2020 mbajti trajnim me studentë me temën: “E drejta në mjedis të pastër – e drejtë themelore e njeriut; politikat mjedisore në Kosovë dhe gjendja aktuale”. 

Organizuar në kuadër të: HumanRightivism, 21 studentët pjesëmarrës fituan njohuri themelore në lidhje me temat e mëposhtme:

(i) e drejta e tyre themelore për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm, 
(ii) ligji vendor dhe ndërkombëtar që rregullon mjedisin, 
(iii) një numër çështjesh shumë të rëndësishme mjedisore dhe 
(iv) punën e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike. 

Rezultati i arritur ne besojmë të jetë se studentët tani kanë fituar njohuri mbi atë se ata kanë një të drejtë themelore që, ndër të tjera, të informohen për çdo vendim të institucioneve shtetërore në lidhje me mjedisin ku jetojnë.Studentët u ndanë jashtëzakonisht të kënaqur me trajnimin, madje disa u shprehën se ky trajnim i ka inspiruar për të bërë më shumë për mjedisin.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dorëzon padi kundër lëshimit të lejeve për Hidrocentralin Deçani dhe Belaja

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike do të dërgojë padi për konflikt administrativ kundër këtyre dy institucioneve publike për lëshimin e lejeve mjedisore, lejeve ujore dhe licencave për Hidrocentralet HC Deçani dhe HC Belaja të ndërtuara dhe operuara nga Kelkos Energy Sh.p.k.

Kjo për arsye se CSL konsideron se procesi i lëshimit të vendimeve të lartpërmendura është karakterizuar me një numër të shkeljeve ligjore, të cilat përfshijnë por nuk limitohen në mungesën e mbajtjes së debatit publik dhe mungesën e përfshirjes së qytetarëve në vendimet për mjedisin ku jetojnë.

Me këtë padi synojmë të anulojmë ato vendime të cilat janë lëshuar në kundërshtim me ligjin si dhe të shtyjmë ekzekutimin e të gjitha këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e tërë procesit.

Sipas Arbër Fetahut, lëshimi i këtyre lejeve ka qenë jotransparent. “Kelkos Energy” nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç e kërkon ligji dhe e ka degraduar mjedisin. Prandaj mbi këtë bazë ne kemi kërkuar nga gjykata anulimin e këtyre vendimeve për licenca, si dhe kemi kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e procesit”, ka deklaruar Fetahu.

Në bazë të provave të siguruara nga paditëset OJQ Pishtarët dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, si dhe nga qytetaret e Deçanit, ne kemi gjetur se procesi i lëshimit të këtyre lejeve është karakterizuar me një numër të shkeljeve ligjore. Kështu, ne kemi gjetur se:

(1) gjatë procesit të lëshimit të lejeve, qytetarëve të Deçanit u është shkelur e drejta e tyre themelore e garantuar me Kushtetutë, u është mohuar e drejta për të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë. Pra, zhvillimi i një projekti kaq të madh si ndërtimi i Kaskadës së Hidrocentraleve në Deçan, me pasoja shumë të rënda në jetën e qytetarëve që jetojnë aty, është mbajtur pa zhvilluar debat publik siç kërkohet nga ligji:

(2) Gjithashtu, ne kemi gjetur se procesi i lëshimit të këtyre lejeve ka qenë jo-transparent dhe se është vërtetuar gjendja e gabuar faktike gjatë lëshimit të vendimeve. Përkatësisht, nga provat që kemi siguruar, kompania Kelkos Energy Sh.p.k. nuk e ka bërë rehabilitimin e ambientit ashtu siç kërkohet nga ligji dhe ka degraduar mjedisin. Prandaj, mbi këtë bazë, ne kemi kërkuar nga gjykata Anulimin të gjitha këtyre vendimeve për leje dhe licenca, si dhe kemi kërkuar Shtyrjen e Ekzekutimit të këtyre vendimeve derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me ligjshmërinë e tërë procesit”.